HISTORIKU I SHKURTËR I FUTBOLLIT TË KOSOVËS
PERIUDHA E PARË
Topi i parë në Kosovë është sjellur nga një student i Grenoblit më 1919, por thuhet se më 1914 futboll kanë luajtur Austro-Hungarezët që kanë shërbyer në Kosovë në atë kohë.
Futbolli në Kosovë është luajtur shumë herët, por klubet e para janë formuar në vitin 1922 në Gjakovë dhe KF “Prishtina” në Prishtinë, e më pastaj formohen edhe klubet e tjera.
Garat nuk kanë qenë të rregullta për arsye të situatës jostabile që ka mbretëruar në atë kohë.
PERIUDHA E DYTË
Kjo periudhë fillon pas luftës së dytë Botërore prej vitit 1945 e deri më 1991. Në këtë kohë futbolli në Jugosllavi përparon në mënyrë të shpejtë e bashkë me të edhe futbolli kosovar, kur formohet edhe Federata e Futbollit të Kosovës më 1948, si degë e Federatës së Futbollit të Jugosllavisë. Në Ligën e parë jugosllave dallohen më së shumti KF “Prishtina”, kurse një vit anëtar i kësaj lige ishte edhe KF “Trepça” nga Mitrovica. Liga e dytë shtetërore vazhdimisht kishte nga 3-4 klube kosovare. Në këto dy liga Federative garonin Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi,Vojvodina, Kosova dhe Maqedonia, të gjitha në një ligë unike.
Kosova e kishte ligën e vet të parë, ku skuadra kampione kalonte direkt në Ligën e dytë jugosllave, pastaj kishte Ligën e dytë dhe të tretë.
Kosova në këtë kohë kishte reprezentues, referë federativë dhe punëtorë të shumtë të nivelit më të lartë.